March 9, 2014

Moj bardhoke flokt kunorë

Posted in Këngë Veriu, Kenge me Cifteli tagged , , , , , , , at 5:00 am by lirikashqiptare

Moj bardhoke moj flokt kunorë
ma ke shtatin bardh si borë
bardh si bora në Shkelzen
her’ po dejet e her’ po bjen
ma ke shtatin bukuri
përmjet t’holl, n’unaz’ me t’shti
sytë e zi, o qerpikt me rrema
kur po t’shoh po m’dridhet zemra

Je ma e mira n’bjeshkë e n’vrri
të ka ra o diftek’ i zi,
t’ra difteki, e t’u skuq faqja
ku e ke rrit’, bardhok’, lum dada?
n’hije t’venit po pushon
shpat o m’shpat djali po shkon
shpat e m’shpat e mriz mas mrizi
kur pran’ tij pushon bilbili

Ftyra jote shndrit si rrezja
mi ke vetllat t’holla, t’drejta
faqet gjak e n’gastatarli
t’asht ba huq, pa e përbi
kur po qesh, buza me faqe
po t’vjen era manushaqe
manuqashe, lule blini
me ty jetën o po e lidhi

January 22, 2014

Ku po shkon me drapën në dorë

Posted in Këngë Veriu, Kenge me Cifteli tagged , , , , at 2:16 am by lirikashqiptare

Ku po shkon me drapën n’dorë
moj e mira vetull hollë
Ku po shkon me drapën n’dorë?
moj e mira vetull hollë

Shkoj të korr unë more djalë
gruri hapet valë e valë
nëpër kallza gruri i ri
po shkëlqen sot porsi flori

Ndalu pak t’i them dy fjalë
moj e mira faqebardhë
Ndalu pak t’i them dy fjalë
moj e mira faqebardhë

Fjalët e tua more djalë
mi tha mue zogu i bardhë
në pranverë kur molla çel
këndon zogu mbi një degë

çikë tropoje bardh si bora
hije t’ka drapni ke dora
çikë tropoje bardh si bora
hije t’ka drapni ke dora

Do punojmë bashkë të dy
nji ylber na ndrin në sy
Do punojmë bashkë të dy
nji ylber na ndrin në sy

January 18, 2014

Ma ka luejt djali kapuçin

Posted in Këngë Veriu, Kenge me Cifteli, Uncategorized tagged , , , , , at 5:16 am by lirikashqiptare

Oh, hajt bre nanë mi qite ment-e
qysh po m’thue me i mjelë dhentë-e
Jam mërzitshëm e jam për ngutshëm-e
ma ka lujt oh djali kapuçin
ma ka lujt, oh ma ka qit nji vetull
kurrë s’e la oh me ta pa u përpjekun

Oh, mori çikê oh me sytë e zij-e
fort marak oh jam ba në ty-e
fort marak oh jam ba në ty-e
oh me të thirrë n’emën
emrin oh s’ta dij-e!

Me t’thirrë n’emën
emrin s’ta dijë-e
oh me të lypë në shpi
se unë kam oh ma hije-e

Oh lypëm djalë dert mos kije
oh thirrëm djalë, oh dada Hajrie
Kur takohem oh unë e tije
po na knojnë bylbylat mijë-e
mijë bylbylat sa mirë këndojnë-e
oh more të lumët na oh për shoqi-shojnë
oh hej!

Çikë e bukur nga Tropoja

Posted in Këngë Veriu, Kenge me Cifteli tagged , , , , , at 2:49 am by lirikashqiptare

O çikë e bukur nga Tropoja
oh kur t’shoh ty me u plak harrova
oh unë shumë gjat të kam lyp ty
oh n’grushta tu veç ujë me pi
oh ujë me pi!

Oh kadalë çikë s’e ment m’i prishe
oh a mos je moj prej Berishe
oh se në kjofsh moj çikë prej ptyqi
oh ta baj hanën unazë gishti
oh unazë gishti!

Oh s’e në kjofsh prej Gashit t’gurit
oh man allti e ven barutit
oh prej Krasniqit me qillue
oh i mson zogjt me flutur-e
oh me fluturue-e!

Oh kudo çikë të kam kërkue
oh veç nji natë me ma fal mue
oh m’ka marrë etja jam i ri
oh mi ke krojet n’sytë e zi
oh n’sytë e zi!

March 19, 2013

Aga Ymeri na u martue

Posted in Balada, Këngë Veriu tagged , , , , , , at 7:41 pm by lirikashqiptare

Agë Ymeri na u martue,
po, more, jo
Sall, nji, nat’ ma s’ndej me grue,
i ra lota ushtar me shkue,
për me i shkue mbretit n’ushtri.
-Lamtumirë, tha, mori grue!
Po i thotë vasha: “A vi me ty?”
-Nuk asht rrugë me ardhë me mue,
por, sa kohë po m’pret, ti, grue?
Un’ të për o për tri ditë,
për tri ditë’-o për tri net.
– At’ u thaftë goja, qysh po flet!
Un’ të pres-o, për nandë net.
-Tu thaftë goja, qysh po flet,
qysh po flet-o mori shtrigë!
se asht mirija treqind ditë,
se s’asht rrug-o për nandë ditë,
por asht rrug-o për nandë vjet,
e por i thanë e zezë ushtri.
A m’nep besën se po m’pret!
Për nandë vjet-o-un të pritsha,
vedit fat, tha, mos i qitsha!
-Të lumtë goja qysh po flet! -
Atëherë Aga u nis me shkue.
Se ka ra n’luftë të parë,
ja kanë varrue atin e bardhë.
N’luftë të dytê kur ka ra,
Ate t’shkretën rob e kanë xanë,
e kanë xanë e n’burg po e shtinë,
mirë po han edhe po pin,
sa mirë tamerthës po na i bjen.
Kaluen ditë e kaluen net.
Kur janë mbushun-o nand vjet,
Temarthës ma s’po na i bjen,
ka çilë gojën, po bërtet.
E bija e krajlit e ka ndigjue.
E bija e krajlit e ka pyvetë:
– Ça ke ti, Agë, qi s’han as pin?
Ça ke qi tamerthës s’po na i bjen?
A ke shkelë flokët e kresës?
A t’janë ba morrat krymba?
– Kurr njato, tha, nuk m’kan gjetë,
por kam pa nji andërr t’shkretë,
andërr t’keqe kam pa për shpi.
– Si e ke pa, Agë, ti at’ andërr?
– Pashë sarajet m’ishin rrethue,
baba dekë edhe harrue,
nana plakë edhe verbue,
vasha dalë edhe martue.
A po i hin krajlit për me m’lëshue?
Sall tri ditë myhlet po t’lypi.
– Un’ po të lëshoj, por due nand’ qese.
– Un nandë qese ku me i marrë,
tash nandë vjet un rob i xanë?
– A m’nep besën se vjen prap?
– Në mos t’ardhsha për tri ditë,
po ta qes-o nji dorzanë:
Po t’nap din, epo t’nap imanë,
tridhetë dit’ e ramazan,
po t’qes zotin qi m’ka dhanë.
At-her, Agën e ka lëshue,
U nis Aga për me shkue,
– Zgjidh e merr dorën ma t’mirin,
për tri ditë t’kapsh Ulqinin.
Për tri ditë e pêr tri net,
mbrrini Aga në vend të vet.
E kur shkoi te kroni gri,
hasi n’rrugë një plakë baxhi,
– Mirë se t’gjej, plakë baxhi!
– Mirë se vjen, rob i xanë!
– Ku ma din ti se jem i xanë?
– Prej flokësh ballit qi m’ke lanë.
Eh kahje tuj ardhë, o djal i xanë?
– Prej, të zezës njasaj Spajë.
– A m’din gja për Agë Ymerin?
– Agë Ymeri, tha, ka dekë,
vet’ e lava, vet’ e qava,
edhe t’shtatën vet ia dava.
E mor vaji plakën e shkretë.
– Ç’janë kta krushqt qi vin me nuse?
– Kta janë krushqt e Veli Pashës.
– Të kuj nuse qenë me marrë?
– Nuse zezën e Agë Ymerit, -
Agë Ymeri thekë dorinë,
me zi i xuni krushqesinë.
– Mirê se ju gjej, krushq e darsmorë!
– Mirë se vjen, rob i xanë!
– Ku m’dini ju se jam i xanë?
– Prej flokësh ballit qi m’ke lanë.
Prej kah po vjen, ti, rob i xanë?
– Prej të zezës njasaj Spajë.
– Për Agë Ymerin a m’din gja?
– Agë Ymerin e kanë vra!
Ka tri dit me ta qi s’jam pa.
Krushqit qeshën ha ha ha!
Nji amanet më ka lanë
sall tri fjalë vashës me ia thanë.
Fol djalë, sa të kesh qef!
– Mirë se t’gjej, moj nuse bardha!
– Mirë se vjen, more rob i xanë!
– Ku m’din ti se jam i xanë?
– Ndjeva krushqit tuj të thanë.
– Burrin tand a mund t’njofsh?
– Ku ta njof e ku ta dij
sall nji nat’ e kam pasë në shpi.
Por nan’ e tij m’ka pasë thanë,
ka nji shenj në krahë të djathtë,
n’krah të djathtë, njaty te llana,
kur e ka hangër ati m’dhambë.
Shpërvjell llanë, kallzo nishanë,
edhe shejin ia ka diftue.
Zdrypi vasha prej atkinës,
Kcej e i ra n’vithe t’dorisë.
– Udhamarë krushku i parë,
se un mora fatin e parë!…
– Udhamarë, krushq e daij,
se m’ka ardhun fati i ri.
Udhamarë, krushq e darsmorë,
Veli pashës fjalë m’i çoni,
se m’ka ardhë-o i fati i parë.
Veli pashës t’m’i falsh me shëndet,
erdh zoti i gjasë së vet,
mos me metë saraji shkretë,
mos me mbetë nana pa djalë,
prej shpijet nusja mos me i dalë,
na faltë zoti ndonji djalë,
kem m’e zanë pashën kumarë;
na faltë zoti ndoj çikë,
kem m’e zanë pashën për mik.

March 12, 2013

Djalë i dashtun

Posted in Këngë dashurie, Këngë Shkodrane, Këngë Veriu tagged , , , , , , , at 6:14 am by lirikashqiptare

Yll i bardhë aman
djalë i dashtun
t’pata zan’ un’
dikur mik
aman, dikur mik.
tuj kujtu se kam
me t’pasun shumë un besnik.

Besnikëria s’don me than
tjera kën mos me shikju
me majt besën q’i m’ke dhanë
kur jem dashtë e jem dashnu.

At’her besën aman
kur ta mora
un e mjera kjesh gëzu
aman kjesh gëzu
Tash po e shof
se keq u mora m’ke harru

T’pata zgjedh përmbi shok’ tjerë
oh sa i dashtun kje për mu’
karjafila s’deshta të tjerë
zemrën keq ma ke ngallnu.

Si t’ja baj djalë aman
un’ e mjera, si do t’rri
un’ pa ty, aman un pa ty
shkune bash shtambëdhetë
prendvera more sy.

January 29, 2013

Çou Rexho, çou djal-o

Posted in Këngë Veriu tagged , , , , , at 2:19 am by lirikashqiptare

Çou, Rexho, qite nji pushkë,
se po vin’ të zest’ more, krushq!
Çou, Rexho, çou djal-o,
çou, bre skyfter’ i nanës-o
çou, bre sokoli i lokes-o!

Po vjen nusja në oborr,
Rexhja lahet nën shatorr.
Çou, Rexho, çou djal-o,
çou, bre skyfter’ i nanës-o
çou, bre sokoli i lokes-o!

Nusezeza në çardak,
Rexhoja i ma’ me gjak.
Çou, Rexho, çou djal-o,
çou, bre skyfter’ i nanës-o
çou, bre sokoli i lokes-o!

Mori Zoja, kadën Xhiko
mbram’ju erdha, sot ju ika.
Çou, Rexho, çou djal-o,
çou, bre skyfter’ i nanës-o
çou, bre sokoli i lokes-o!

Motra shtat e un’ e teta,
burrë mora, e me të nuk fjeta.
Çou, Rexho, çou djal-o,
çou, bre skyfter’ i nanës-o
çou, bre sokoli i lokes-o!

Çou, Rexho e del ke porta,
se po vinë të zezat motra.
Çou, Rexho, çou djal-o,
çou, bre skyfter’ i nanës-o
çou, bre sokoli i lokes-o!

Çou, Rexho e del në shkallë,
që po vjen njaj gjoku i bardhë!
Çou, Rexho, çou djal-o,
çou, bre skyfter’ i nanës-o
çou, bre sokoli i lokes-o!

Nusja në buzë të malit,
Rexhja në grazhd të kalit.
Çou, Rexho, çou djal-o,
çou, bre skyfter’ i nanës-o
çou, bre sokoli i lokes-o!

Mbram’ ju erdha me flok’ lëshue,
sot po iki me lesh çue.
Çou, Rexho, çou djal-o,
çou, bre skyfter’ i nanës-o
çou, bre sokoli i lokes-o!

Versioni i këngës së videos është pak i ndryshëm nga teksti që kam vendosur.

August 5, 2008

Dy Tupana ne dere te Kulles

Posted in Këngë Veriu, Kenge me Cifteli tagged at 10:01 pm by lirikashqiptare

Dy tupana në derë të kullës
Nji za burri në tel të lahutës
Gëzohen malet se na lindi bija
Përshëndesin pushka e sharkia

Kanga e pushka në odë t`Drenicës
Përçjell nuesë Shote Galiçën…

Shota rrin mbi kalë gjith nur
Në ballë t`dasmorëve një flamur
Njëmijë krushq me nusen vijnë
Njëmijë pushkë mbi supe u rrinë

Kapërçejnë grykat dhe malet
Bien tupanat, kënga s`ndalet…

Shtatë varruem në jatagana
Gjokset mbushur me nishana
Shota erdh e qeshet Kulla
Azem Bejta rrin me burra

Shtati i Shotës si shtizë flamuri
Sy përflakun në fkalë t`barutit…

Shota veshi tirq galana
Nuse malesh në luftë me krajla
S`rrin me i k`ndue djepit të shpia
Mir i rrinte në krah burrnia

Mori pushkë me rretha dore
Për me i kthye malet në llogore…

Sytë e saj për dritë lirie
Pushka i këndonte veçç kangë trimnie
Shpalos krahët si të Shqiponjës
Për k`ta vllaznit e Kosovës

Një lahutë me kangë kreshnike
I këndoj Shotës heroike…

July 23, 2008

Cuca Radomires

Posted in Këngë nga Dibra, Këngë Veriu tagged at 12:18 am by lirikashqiptare

Cuca radomirës faqet me nishana
Cuca radomirës faqet me nishana
Tuj e korrun grunin oe
E ka zanun hana
Tuj e korrun grunin oe e ka zanun hana

Cuca radomirës flokët kaçurrela
Cuca e radomirës flokët kaçurrela
Çi punojne shtizat oe tuj e mush bucela
Çi punojnë shtizat oe tuj e mush bucela

Cuca radomirës tuj prashit ndër ara
Cuca Radomirës tuj prashit ndër ara
Nuk ka asnji djal katundi që ti dal përparra
Nuk ka asnji djal katundi që ti dal përpara

Cuca e radomirës synin si shkendi-e
Cuca radomirës synin si shkendi-e
Lumi ai trim i zoti oe që do e shtier në shpi-e
Lum ai trim i zoti oe që do e shtjer në shpie-e

April 24, 2008

Shqipëri o nana ime!

Posted in Këngë Veriu, Kenge me Cifteli tagged at 5:42 am by lirikashqiptare

O malet e Shqipërisë
Dhe ju o lisat e gjatë
Fushat e gjëra me lule
U kam ndërmënd
Ditë e natë

Kur nigjon e nanës
Qysh e lën qingji kopenë
Blegërin dy a tri herë
Edhe ikën e merr dhenë
Blegërin dy a tri herë
Edh ikën e merr dhenë

Shqipëri o nana ime
Ndonëse jam o i mërguar
Dashurinë tane zemra
Kurrë ska me harrue

Ashtu dhe kjo zemra ime
Më len ktu tek ka mua
Vjen me vrap me dëshirë
Atje ndër viset e tua
Vjen me vrap me dëshire
Atje ndër viset e tua

Shqipëri o nana ime
Ndonëse jam o i mërguar
Dashuinë tane zemra
Kurrë s’ka me e harrue
Dashurinë tane zemra
Kurrë ska me e harrue

Next page

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.